3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

“Të ndërtojmë ura bashkëpunimi – Building Bridges”

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në punimet e Konferencës së 37-të Ndërkombëtare të Autoriteteve të Mbrojtes së të Dhënave Personale dhe Privatësisë, nën moton “Të ndërtojmë ura bashkëpunimi – Building Bridges”. Aktiviteti u zhvillua në datat 26-29 tetor në Amsterdam të Hollandës me pjesëmarrjen e më shumë se 700 zyrtarëve dhe të ftuarve ndërkombëtarë. Ky është forumi më i madh dhe më i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale në botë, ku shkëmbehet eksperiencë në aspekte të tilla, si forcimi i ligjit, rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe prezantimi i praktikave më të mira.

konferenca_amsterdam_3
Me z. John Edwards, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Komisioner i Zelandës së Re

Në këtë Konferencë, Zyra e Komisionerit, për herë të parë që prej anëtarësimit të saj, mori pjesë si kontribuuese me prezantime në dy panele shumë të rëndësishme. Në panelin kushtuar rrjetit global GPEN (Rrjeti i Agjencive Ligjzbatuese për Mbrojtjen e Privatësisë), fokusi ishte te bashkëpunimi mes institucioneve homologe, e ku një vëmendje të veçantë iu kushtua marrëveshjes së bashkëpunimit me Autoritetin italian – Garante per la protezione dei dati personali – dhe inspektimeve të përbashkëta.

Gjatë punimeve të kësaj konference, Zyra e Komisionerit në aktivitetin mbi edukimin digjital prezantoi eksperiencën e saj në organizimin e konkurseve shkollore, si një mjet shumë efikas në ndërgjegjësimin e grupmoshave të reja mbi rëndësinë e mbrojtjes së privatësisë dhe të dhënave personale.

Punimet e Konferencës i përshëndetën ndër të tjera Komisioneri i Bashkimit Evropian për Drejtësinë, Konsumatorin dhe Barazinë Gjinore, znj. Vera Jurova; kreu i Autoritetit holandez të Mbrojtjes së të Dhënave, z. Jacob Kohnstamm; Kryetari i Bashkisë së Amsterdamit, z. Eberhard van der Laan; kreu i Agjencisë Supervizuese Evropiane për të Dhënat Personale, z. Giovanni Buttarelli, kreu i Autoritetit francez të Mbrojtjes së të Dhënave – CNIL, znj. Isabelle Falque-Pierrotin; kreu i Komisionit Federal amerikan të Tregtisë, znj. Edith Ramirez, etj.

Konferenca Ndërkombëtare e Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale është forumi më i rëndësishëm i fushës. Në të janë të anëtarësuar 101 Autoritete nga 63 vende të botës, si edhe një organizatë, Bashkimi Evropian. Ndërkohë, 16 Autoritete nga 7 vende dhe 5 organizana ndërkombëtare kanë statusin e vëzhguesit.

Punimet e Konferencës u ndanë në dy sesione kryesore dhe disa panele. 2 ditët e para, u emërtuan nga organizatorët si Sesioni i Mbyllur, ku pjesëmarrës në punimet e tij ishin vetëm përfaqësuesit e Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave. Ndërsa, 2 ditët e tjera të Konferencës ishin organizuar si Sesion i Hapur. Përveç zyrtarëve të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave, morën pjesë edhe studiues e akademikë, artistë, gazetarë, si dhe shumë përfaqësues të kompanive më të mëdha botërore, të interesuar rreth zhvillimeve më të fundit në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.