Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros), organizuan një tryezë të rrumbullakët për vlerësimin e ecurisë së zbatimit të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.
Pjesëmarrës në këtë forum ishin përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertë të njohur të fushës, me të cilët u diskutua, njëkohësisht, edhe për propozime të ndryshme për përmirësimin e këtij ligji. Z. Besnik Dervishi në fjalën e tij theksoi “rolin e veçantë që këto organizata luajnë në ndërgjegjësimin e qytetarëve për njohjen dhe zbatimin e ligjit “Për të drejtën e informimit” si dhe rritjen e transparencës së institucioneve”.
Zyra e Komisionerit ka nisur një proces konsultimi të gjerë të ligjit “Për të drejtën e informimit”, standardet e të cilit jo gjithnjë janë zbatuar në mënyrë të unifikuar nga Autoritetet Publike. Disa prej çështjeve më të diskutuara në takim ishin ato të konsolidimit të aspektit procedural të Zyrës së Komisonerit në raport me përmbajtjen e informacionit zyrtar; forcimin e rolit të koordinatorit të të drejtës për informim; trajtimin e çështjeve që administrohet në përputhje me ligjin “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror” në balancë me interesin publik; etj. Pjesëmarrësit në takim ishin të një mendimi përsa i përket forcimit të statusit të Komisionerit dhe pavarësisë së tij institucionale. Përmirësimi i këtij ligji në të gjitha aspektet synon që të nxisë akoma edhe më tej ndryshimin e mentalitetit të administratës publike për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.