Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Instrumentin e Asistencës Teknike për Shkëmbimin e Informacionit të Bashkimit Evropian (TAIEX) zhvillojnë trajnimin e dytë, në datat 27-28 shkurt 2018, me temë “Harmonizimi i legjislacionit kombëtar me legjislacionin e ri të mbrojtjes së të dhënave personale në BE”.
Në këtë aktivitet i ftuar si lektor është z. Tino Naumann, përfaqësues i Autoritetit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale të landit të Saksonisë në Gjermani. Në trajnim marrin pjesë stafi i Zyrës së Komisionerit, përfaqësues të Avokatit të Popullit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Trajnimi ka për qëllim të njoh dhe krahasoj risitë e kuadrit të ri rregullator për mbrojtjen e të dhënave personale në BE, si dhe të orientoj përafrimin e legjislacionit të kësaj fushe në vendet kandidate për anëtarësim. Në maj 2018 hyjnë në fuqi Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave dhe Direktiva e Policisë.
Ndër çështjet kryesore të trajnimit janë ato për njohjen dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve kur ata janë subjekt i transmetimit/transferimit të të dhënave për qëllime të hetimit policor apo gjyqësor dhe kategoritë e të dhënave që transmetohen/transferohen. Gjithashtu, trajtohet roli i oficerit të mbrojtjes së të dhënave në këto organe; masat e sigurisë, mënyrat e ruajtjes apo shkatërrimit në procesin e transferimit të të dhënave; si dhe marrëdhëniet mes institucioneve ligjzbatuese në BE me ato në vendet kandidate. Nëpërmjet rasteve praktike, në trajnim sillet eksperienca e periudhës së tranzicionit në BE dhe përgatitja e Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave për mbikëqyrjen e zbatimit të Rregullores së Përgjithshme dhe Direktivës së Policisë.