Samiti Global i Privatësisë, fokus te sfidat e inteligjencës artificiale dhe transferimet ndërkombëtare të të dhënave

Në kuadër të zhvillimeve globale në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, po zhvillohet Samiti Global i Privatësisë në Washington, D.C, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare kushtuar privatësisë dhe qeverisjes së të dhënave. Në këtë aktivitet të rëndësishëm po merr pjesë edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale z. Besnik Dervishi, i cili po ndjek nga afër zhvillimet më të fundit në këtë fushë.

Samitit u çel në 30 mars dhe gjatë këtyre dy ditëve aktivitetet janë përqendruar në sesione trajnimi të avancuara dhe diskutime strategjike mbi zhvillimet më të fundit në këtë fushë. Dita e parë u karakterizua nga organizimi i workshopeve dhe trajnimeve profesionale, të fokusuara në tema si qeverisja e inteligjencës artificiale, menaxhimi i programeve të privatësisë dhe transferimet ndërkombëtare të të dhënave. Paralelisht, janë zhvilluar edhe tryeza të rrumbullakëta mes ekspertëve dhe profesionistëve të fushës.

Në datën 31 mars, samiti vijoi me sesionin plenar hapës dhe panele të nivelit të lartë, ku u diskutuan çështje kyçe si e ardhmja e privatësisë globale, sfidat rregullatore që lidhen me inteligjencën artificiale, si dhe mekanizmat për garantimin e sigurisë në transferimet ndërkufitare të të dhënave. Në fokus kanë qenë gjithashtu edhe praktikat e sektorit publik dhe privat në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe rritjen e transparencës.

Punimet e samitit do të vijojnë në datat 1 dhe 2 prill me sesione të thelluara mbi zbatimin praktik të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave, përfshirë rastet konkrete të mbikëqyrjes dhe masave ndëshkuese, si dhe me diskutime mbi zhvillimet në fusha të veçanta si shëndetësia, financa dhe teknologjia. Në ditën përmbyllëse pritet të trajtohen perspektivat e ardhshme të ndërthurjes së inteligjencës artificiale me privatësinë, si dhe rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë drejtim.

Ky samit shërben si një platformë globale për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe për përcaktimin e trendeve që ndikojnë drejtpërdrejt edhe në politikat kombëtare të mbrojtjes së të dhënave.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në forume të tilla sjell përfitime konkrete për institucionin dhe vendin, duke mundësuar njohjen me praktikat më të mira ndërkombëtare, standardet më të avancuara rregullatore dhe qasjet inovative në mbrojtjen e të dhënave personale.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë