Rregullimi i veprimtarisë së lobimit në Shqipëri, sfidat e zbatimit dhe koordinimi me standardet evropiane ishin në fokus të tryezës së organizuar në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Evropian, me pjesëmarrjen e institucioneve publike, shoqërisë civile, ekspertëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Aktiviteti u organizua, nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kuadër të Grupit të Punës për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”.
Në fjalën e tij, Komisioneri Besnik Dervishi e cilësoi ligjin nr. 12/2026 “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë” si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të integritetit institucional, transparencës dhe llogaridhënies në proceset vendimmarrëse publike. Sipas Komisionerit, për herë të parë në Shqipëri krijohet një kuadër i posaçëm ligjor që synon të garantojë se ndërveprimi mes interesave private dhe institucioneve publike zhvillohet në mënyrë të deklaruar, të monitorueshme dhe në përputhje me interesin publik.
“Ky ligj merr një rëndësi të veçantë pikërisht sepse prek dhe rregullon ndërveprimin me nivelet më të larta të vendimmarrjes në shtet. Të lundrosh në kufijtë e ligjit apo të kërkosh koordinata ligjore në proceset vendimmarrëse, nga deputetët te Kryetari i Kuvendit, nga ministrat te Kryeministri, nga drejtuesit e administratës te kryetarët e bashkive, kërkon jo vetëm transparencë formale, por standarde të forta integriteti institucional”, u shpreh Komisioneri Dervishi.

Ai theksoi se ligji është hartuar në përputhje me standardet dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OECD-së, ndërsa evidentoi gjithashtu se sfida kryesore mbetet zbatimi efektiv i ligjit, ngritja e mekanizmave funksionalë të mbikëqyrjes dhe forcimi i kapaciteteve njerëzore dhe administrative të institucionit përgjegjës për monitorimin e tij.
Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri (EMA), z. Gledis Gjipali, theksoi se procesi i integrimit evropian nuk lidhet vetëm me miratimin formal të legjislacionit, por mbi të gjitha me zbatimin konkret të tij dhe respektimin e standardeve evropiane në praktikë.
Sipas tij, në vetë gjuhën e Komisionit Evropian, theksi vihet vazhdimisht tek zbatimi efektiv i ligjeve, çka përbën një sfidë të përbashkët për të gjitha institucionet shqiptare.
Gjatë tryezës, Drejtoresha e Drejtorisë së Monitorimit të Programeve të Transparencës pranë Zyrës së Komisionerit, znj. Emerlinda Pema, prezantoi aspektet që lidhen me funksionimin dhe menaxhimin e Regjistrit të Lobimit, funksionet mbikëqyrëse dhe kontrolluese të Komisionerit, si dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale për zbatimin efektiv të ligjit.
Drejtoresha e Programeve pranë “Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim”, znj. Klotilda Kosta, solli perspektivën e shoqërisë civile mbi pritshmëritë dhe pasiguritë që shoqërojnë zbatimin e ligjit për lobimin, duke theksuar rëndësinë e dallimit të qartë mes lobimit dhe advokimit publik, si dhe nevojën për shmangien e barrave administrative disproporcionale për organizatat e shoqërisë civile.
Ndërsa z. Michal Piško, Drejtor i Transparency International Slovakia, prezantoi online praktikat dhe standardet evropiane mbi rregullimin e lobimit, me fokus tek modelet e transparencës, roli i institucioneve mbikëqyrëse dhe sfidat që hasen në zbatimin efektiv të legjislacionit për lobimin në vendet e Bashkimit Evropian.
Pjesëmarrësit ndanë rekomandime dhe ngritën pyetje mbi zbatimin e ligjit dhe garantimin e një procesi transparent dhe të besueshëm të lobimit në Shqipëri.