Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në tryezën rajonale “Drejt rregullimit të lobimit: gjetjet, përvojat rajonale dhe hapat e mëtejshëm”, të zhvilluar në Prishtinë.
Aktiviteti u organizua nga Këshilli i Evropës, në kuadër të veprimit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, me qëllim diskutimin e gjetjeve të studimit mbi mundësinë e rregullimit të lobimit në Kosovë dhe shkëmbimin e përvojave rajonale për rritjen e transparencës në vendimmarrje. Në tryezë morën pjesë përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera publike, të shoqërisë civile dhe sektorit të biznesit, si dhe përfaqësues të institucioneve homologe nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Zyra e Komisionerit prezantoi modelin shqiptar të rregullimit të lobimit. Drejtoresha e Përgjithshme për të Drejtën e Informimit znj. Rovena Sulstarova, u ndal te kuadri ligjor, përgjegjësitë institucionale dhe procedurat për zbatimin e tij. Prezantimi trajtoi njohjen e lobimit si veprimtari të ligjshme, detyrimet dhe ndalimet për subjektet që e ushtrojnë, si dhe kërkesat për transparencë dhe përgjegjshmëri. Vëmendje iu kushtua procesit të regjistrimit, administrimit të informacionit, orientimit të subjekteve dhe mbikëqyrjes së zbatimit të kuadrit ligjor. Në këtë kontekst, u paraqit puna për përgatitjen dhe miratimin e akteve nënligjore, formularëve, regjistrave dhe procedurave të nevojshme për funksionimin praktik të sistemit. Duke qenë se Shqipëria ndodhet në fazat fillestare të zbatimit, u theksua rëndësia e udhëzimit të subjekteve dhe e krijimit gradual të një praktike të qëndrueshme administrative.
Shkëmbimi rajonal shërbeu për të identifikuar nevojën për udhëzime praktike mbi dallimin ndërmjet lobimit, konsultimit publik dhe advokimit, si dhe për vlerësimin e zbatimit pas krijimit të praktikave të para. Këto elemente mbështesin ndërtimin e një sistemi që e bën më transparent ndikimin në vendimmarrjen publike dhe forcon përgjegjshmërinë institucionale.