Samiti Vjetor i IAPP, takime të Komisionerit Dervishi me zyrtarë të lartë amerikanë

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, zhvilloi një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin Global Vjetor 2023 të Shoqatës Ndërkombëtare të Profesionistëve të Privatësisë (International Association of Privacy Professionals – IAPP).

Në kuadër të Ditës së Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave u zhvilluan aktivitete ku u trajtuan sfida e problematika dhe u ndanë eksperiencat më të mira ndërkombëtare në këtë fushë. Në Departamentin e Drejtësisë u zhvillua një takim i rëndësishëm me zyrtarë të lartë amerikanë nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit, ai i Drejtësisë, ai i Tregtisë, Zyra e Inteligjencës Kombëtare, etj dhe atyre evropianë, Komisionerë të Mbrojtjes së të Dhënave nga disa shtete të BE dhe jo vetëm. Temat e diskutimeve u përqendruan mbi kuadrin ligjor për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale, forcimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit duke zbatuar praktikat më të mira bashkëkohore, si dhe në respektimin e të drejtave të qytetarëve në harmoni me zhvillimin teknologjik dhe atë ekonomik.

Pjesë e aktiviteteve të Ditës së Autoriteteve ishte edhe pritja që organizoi Kryetarja e Komisionit Federal të Tregtisë, Lina Khan, ku të pranishëm ishin zyrtarë të lartë pjesëmarrës në Samitin Global Vjetor të IAPP. Intensifikimi i bashkëpunimit në këtë fushë ishte ndër pikat kryesore të diskutimeve, si dhe forcimi i kritereve për një mjedis të sigurt kibernetik/digjital në mbrojtje të të dhënave personale.