Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale do të marrë pjesë këtë vit, për herë të parë, në operacionin Sweep Privacy (Pastroj Privatësinë) GPEN (Global Privacy Enforcement Network – Rrjeti Ndërkombëtar i Agjencive Ligjzbatuese për Privatësinë), i cili ka për qëllim të mbikqyrë dhe të kontrollojë përdorimin e aplikacioneve (Apps) nëpër faqe të ndryshme në internet.
Ky aktivitet është një aksion stërvitor i përvitshëm, i cila fokusohet në identifikimin e prirjeve dhe problematikave ndërkombëtare në një temë të veçantë, e ku në 3 vitet e shkuara të zhvillimit të tij kanë marrë pjesë gjithnjë e më shumë Autoritete kombëtare. Këtë vit, aksioni do të koordinohet nga Autoriteti britanik i të Drejtës për Informim dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale (ICO).
Zyra e Komisionerit ka një angazhim konstant dhe të vijueshëm si anëtar i rrjetit GPEN, duke përmendur këtu pjesëmarrjen aktive në konferencat e tij vjetore. Në Konferencën e 37-të Ndërkombëtare të Autoriteteve të Mbrojtes së të Dhënave Personale dhe Privatësisë që u zhvillua në Holandë u vlerësua nga institucionet homologe eksperienca e përfituar nga marrëveshja e bashkëpunimit me Autoritetin italian (Garante per la protezione dei dati personali).
Rrjeti GPEN është themeluar në vitin 2007, pas vendimit të vendeve anëtare të OECD(Organisation for Economic Co-operation and Development – Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin) për të miratuar Rekomandimin për Bashkëpunimin Ndër-kufitar të Agjencive Ligjzbatuese në Mbrojtje të Privatësisë. Ky rrjet ka për qëllim që të diskutojë aspektet praktike të mbrojtjes së të dhënave personale; të ndajë eksperiencën e praktikave më të mira në këtë fushë; të përpunojë prioritetet për zbatimin e legjislacionit; të asistojë iniciativat e përbashkëta ligjore dhe aktivitetet ndërgjegjësuese mes vendeve.