Të drejtat e subjektit të të dhënave

  1. Kur të dhënat personale mblidhen me bashkëpunimin e subjektit të të dhënave dhe subjekti i të dhënave nuk e ka informacionin e përmendur më poshtë, kontrolluesi i jep atij informacionin e mëposhtëm lidhur me:

    a) identitetin dhe të dhënat e kontaktit të kontrolluesit dhe, sipas rastit, të dhënat e kontaktit të përfaqësuesit, si dhe të nëpunësit të mbrojtjes së të dhënave të kontrolluesit;
    b) qëllimet e përpunimit për të cilat janë të destinuara të dhënat personale, si dhe bazën ligjore për përpunimin;
    c) ekzistencën dhe logjikën e vendimmarrjes automatike dhe profilizimit, sipas pikave 1 e 3, të nenit 20 të këtij ligji, dhe, të paktën, në ato raste, informacionin e duhur lidhur me logjikën përkatëse, si dhe rëndësinë e pasojat e parashikuara të këtij përpunimi për subjektin e të dhënave;
    ç) periudhën e parashikuar të mbajtjes së të dhënave personale ose, nëse kjo nuk është e mundur, kriteret e përdorura për të përcaktuar këtë periudhë;
    d) ekzistencën e së drejtës për të tërhequr pëlqimin në çdo kohë, pa ndikuar në ligjshmërinë e përpunimit, bazuar në pëlqimin para tërheqjes së tij, kur përpunimi kryhet mbi bazën e pëlqimit dhe të interesit të ligjshëm të kontrolluesit ose të palës së tretë, kur përpunimi kryhet mbi bazën e një interesi të ligjshëm;
    dh) informacion, nëse subjekti i të dhënave është i detyruar ose jo të japë të dhënat dhe nëse dhënia e të dhënave personale është detyrim që buron nga legjislacioni në fuqi, kushtet e kontratës apo kushtet për të hyrë në një marrëdhënie kontraktore, si dhe pasojat e mundshme nga mosdhënia e këtyre të dhënave;
    e) marrësit ose kategoritë e marrësve, nëse ka;
    ë) nëse të dhënat do të transferohen në vende të huaja dhe, nëse po, si garantohet mbrojtja e duhur, përfshirë informacionin për masat e përshtatshme të mbrojtjes dhe mënyrën me të cilat mund të merret një kopje e tyre ose vendin ku ofrohen ato;
    f) ushtrimin e të drejtave sipas neneve 14–20 të këtij ligji, si dhe për të drejtën për të paraqitur ankesë te Komisioneri.

  2. Kur të dhënat personale nuk mblidhen me bashkëpunimin e subjektit të të dhënave, krahas informacionit, sipas pikës 1 të këtij neni, subjekti i të dhënave informohet edhe për kategoritë e të dhënave personale që do të përpunohen, burimin e tyre dhe, sipas rastit, nëse ato janë marrë nga burime të aksesueshme nga publiku. Ky informacion nuk jepet kur:

    a) dhënia e informacionit është e pamundur ose përbën një përpjekje jo të arsyeshme dhe kontrolluesi ka marrë masat e duhura për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e ligjshëm të subjektit të të dhënave;
    b) marrja e të dhënave nga burime të tjera përveç subjektit të të dhënave përcaktohet shprehimisht me ligj; ose
    c) dhënia e informacionit nuk lejohet për shkak të detyrimit për ruajtjen e sekretit professional sipas ligjit.

  3. Informacioni i mësipërm jepet:

    a) përpara se subjekti i të dhënave të ofrojë të dhënat, sipas pikës 1 të këtij neni;
    b) në rast mbledhjeje të informacionit, sipas pikës 2 të këtij neni:
    i. brenda një afati të arsyeshëm, por jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë pasi të jenë marrë të dhënat; ose
    ii. nëse të dhënat personale do të përdoren për komunikim me subjektin e të dhënave, jo më vonë se momenti i komunikimit të parë me subjektin e të dhënave; ose
    iii. kur parashikohet përhapja tek një marrës tjetër, jo më vonë se momenti kur të dhënat personale janë përhapur për herë të parë.

  1. Kur kontrolluesi synon të kryejë përpunim të mëtejshëm dhe subjektit të të dhënave nuk I është dhënë më parë informacioni, përpara se të fillojë këtë përpunim, kontrolluesi i ofron subjektit të të dhënave informacion mbi qëllimin tjetër, si dhe i jep të gjitha informacionet e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, sipas rastit. 
  2. Detyrimi për të informuar sipas përcaktimeve të këtij neni mund të përmbushet edhe nga përpunuesi për llogari të kontrolluesit, nëse është autorizuar prej tij, me kusht që nga informacioni të rezultojë qartë se cili është kontrolluesi dhe si mund të kontaktohet ai.
  1. Subjekti i të dhënave ka të drejtë të marrë nga kontrolluesi, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e paraqitjes së kërkesës, një konfirmim nëse të dhënat personale në lidhje me të janë duke u përpunuar apo jo, si dhe, kur është rasti, të ketë akses në të dhënat personale dhe informacionin e mëposhtëm:

    a) qëllimin e përpunimit;
    b) ekzistencën dhe logjikën e vendimmarrjes automatike dhe të profilizimit, sipas pikave 1 e 3, të nenit 20 të këtij ligji, dhe, të paktën në ato raste, informacionin e duhur lidhur me logjikën përkatëse, si dhe rëndësinë e pasojat e parashikuara të këtij përpunimi për subjektin e të dhënave;
    c) afatin e parashikuar të ruajtjes së të dhënave personale ose, nëse kjo nuk është e mundur, kriteret që përdoren për të përcaktuar këtë afat;
    bazën ligjore të përpunimit;
    d) kategoritë e të dhënave personale në fjalë, duke përfshirë, në rastet kur të dhënat personale nuk janë mbledhur nga subjekti i të dhënave, çdo informacion të disponueshëm për burimin e këtyre të dhënave;
    dh) marrësit ose kategoritë e marrësve, të cilëve u janë përhapur ose do t’u përhapen të dhënat
    personale, në veçanti, marrësit në vendet e huaja ose organizatat ndërkombëtare, përfshirë rastin kur të dhënat transferohen në vende të huaja dhe, nëse po, si sigurohet mbrojtja e duhur;
    e) ekzistencën e të drejtave sipas neneve 15–20 të këtij ligji dhe të drejtën për të paraqitur ankesë te Komisioneri. 

  2. Kontrolluesi i ofron falas subjektit të të dhënave një kopje të listës së kategorive të të dhënave të përpunuara, duke treguar përmbajtjen e secilës kategori, që lidhet me subjektin e të dhënave dhe pa cenuar të drejtat dhe liritë themelore të personave të tjerë. Për çdo kopje të mëvonshme të kërkuar nga subjekti i të dhënave, kontrolluesi mund të aplikojë një tarifë të arsyeshme në bazë të kostove administrative. Kur subjekti i të dhënave e bën kërkesën me mjete elektronike dhe nuk ka përcaktuar formë tjetër në të cilën kërkohet përgjigjja, informacioni ofrohet në formën elektronike që përdoret zakonisht.
  1. Subjekti i të dhënave ka të drejtën e korrigjimit nga kontrolluesi i të dhënave të pasakta personale, që lidhen me të sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e marrjes së kërkesës. Në përputhje me qëllimet e përpunimit, subjekti i të dhënave ka të drejtën e plotësimit të të dhënave personale jo të plota edhe me anë të një deklarate plotësuese.
  2. Subjekti i të dhënave ka të drejtën e fshirjes nga kontrolluesi i të dhënave personale që lidhen me të dhe kontrolluesi ka detyrimin të fshijë të dhënat personale sa më shpejt të jetë e mundur, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e marrjes së kërkesës, në këto raste:

    a) të dhënat personale nuk janë më të nevojshme për qëllimet për të cilat ato janë mbledhur ose përpunuar;
    b) subjekti i të dhënave e tërheq pëlqimin mbi të cilin bazohet përpunimi dhe nuk ka shkak tjetër ligjor për përpunimin;
    c) subjekti i të dhënave e kundërshton përpunimin, në pajtim me pikën 1, të nenit 19, të këtij ligji dhe nuk ka arsye legjitime mbizotëruese për përpunimin ose subjekti i të dhënave e kundërshton përpunimin, sipas pikës 2, të nenit 21, të këtij ligji;
    ç) të dhënat personale janë përpunuar në mënyrë të paligjshme;
    d) të dhënat personale duhet të fshihen për të përmbushur një detyrim ligjor të kontrolluesit;
    dh) të dhënat personale janë mbledhur në kuadër të ofrimit në internet të mallrave ose të shërbimeve, sipas pikës 6, të nenit 8 të këtij ligji.

  3. Pikat 1 dhe 2 të këtij neni nuk zbatohen, për aq sa përpunimi është i nevojshëm, për:

    a) ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe të të drejtës për informim;
    b) përmbushjen e një detyrimi ligjor, që kërkon përpunim në zbatim të legjislacionit në fuqi, të cilit i nënshtrohet kontrolluesi, për përmbushjen e një detyre në interesin publik ose kur atij i është dhënë e drejta e ushtrimit të një funksioni publik;
    c) arsye të interesit publik në fushën e shëndetit publik, në përputhje me shkronjat “ë” dhe “f”, të pikës 2, të nenit 9 të këtij ligji;
    ç) qëllime arkivimi në interesin publik, për qëllime kërkimore, shkencore ose historike, ose për
    qëllime statistikore, dhe zbatohet pika 4, e nenit 45 të këtij ligji, për aq sa e drejta për fshirje sipas pikës 1 të këtij neni mund të bëjë të pamundur ose të dëmtojë seriozisht arritjen e objektivave të këtij përpunimi; ose
    d) paraqitjen e një kërkese apo ushtrimin ose mbrojtjen e një të drejte, detyrimi apo interesi të ligjshëm përpara gjykatës ose autoriteteve publike.

  4. Kur të dhënat korrigjohen ose fshihen, kontrolluesi informon të gjithë marrësit, të cilëve ua ka përhapur ato të dhëna. Kur kërkohet nga subjekti i të dhënave, kontrolluesi e informon atë mbi marrësit e të dhënave personale. Këto detyrime nuk zbatohen vetëm në ato raste kur përmbushja e tyre është e pamundur ose përbën barrë të tepërt për kontrolluesin.
  1. Kur kontrolluesi ka publikuar të dhëna personale dhe sipas nenit 15 të këtij ligji detyrohet t’I fshijë ato, bazuar në teknologjinë e zbatueshme dhe në koston e zbatimit, ndërmerr hapa të arsyeshëm, përfshirë masat teknike, për të informuar kontrolluesit që janë duke përpunuar këto të dhëna personale, që subjekti i të dhënave ka kërkuar fshirjen e çdo lidhjeje, kopjeje ose riprodhimi të këtyre të dhënave personale.  
  2. Me kërkesën e subjektit të të dhënave, operatorët e motorëve të kërkimit në internet janë të detyruar të fshijnë nga rezultatet që shfaqen pas një kërkimi të kryer në bazë të emrit të subjektit të të dhënave informacionin, i cili nuk është më aktual me kalimin e kohës, por që, kur gjendet, ka një ndikim negativ të konsiderueshëm në reputacionin e subjektit të të dhënave.
  1. Subjekti i të dhënave ka të drejtë për kufizimin e përpunimit të të dhënave nga kontrolluesi kur ekziston një nga rastet e mëposhtme:

    a) subjekti i të dhënave kundërshton saktësinë e të dhënave të tij për një afat që i mundëson kontrolluesit të verifikojë saktësinë e të dhënave personale;
    b) përpunimi është i paligjshëm dhe subjekti i të dhënave e kundërshton fshirjen e të dhënave personale dhe, në vend të saj, kërkon kufizimin e përdorimit të tyre;
    c) kontrolluesit nuk i nevojiten më të dhënat personale për qëllimin e përpunimit, por kërkohen nga subjekti i të dhënave për paraqitjen e një kërkese apo ushtrimin ose mbrojtjen e një të drejte, detyrimi apo interesi të ligjshëm përpara gjykatës ose autoriteteve publike; ose ç) subjekti i të dhënave ka kundërshtuar përpunimin, sipas përcaktimeve të pikës 1, të nenit 19 të këtij ligji. Kufizimi zgjat përgjatë periudhës së nevojshme për verifikimin nëse arsyet e ligjshme të kontrolluesit kanë përparësi mbi ato të subjektit të të dhënave. 

  2. Kur përpunimi është kufizuar sipas pikës 1 të këtij neni, me përjashtim të ruajtjes, të dhënat do të përpunohen vetëm:

    a) pas marrjes së pëlqimit të subjektit të të dhënave;
    b) për paraqitjen e një kërkese apo ushtrimin ose mbrojtjen e një të drejte, detyrimi apo interesi të ligjshëm përpara gjykatës, ose autoriteteve publike;
    c) për mbrojtjen e të drejtave të një personi tjetër fizik ose juridik, të cilat kanë përparësi mbi të drejtat e subjektit të të dhënave; ose
    ç) për një interes të rëndësishëm publik. 

  3. Kontrolluesi njofton paraprakisht subjektin e të dhënave për heqjen e kufizimit të përpunimit të tyre. 
  4. Nëse kontrolluesi refuzon kërkesën, subjekti i të dhënave mund të paraqesë ankesë te Komisioneri dhe të kërkojë marrjen e një vendimi paraprak për kufizimin e përpunimit. Nëse është e nevojshme dhe proporcionale, Komisioneri lëshon urdhër paraprak kufizimi, sipas nenit 83 të këtij ligji, jo më vonë se 14 ditë nga paraqitja e kërkesës. 
  5. Kur përpunimi i të dhënave kufizohet, kontrolluesi informon të gjithë marrësit, të cilëve ua ka përhapur të dhënat në fjalë përpara kufizimit.
  1. Kur të dhënat personale i jepen një kontrolluesi nga subjekti i të dhënave, me pëlqimin e tij ose për përmbushjen e një kontrate, dhe përpunimi kryhet me mjete automatike, subjekti i të dhënave ka të drejtën t’i marrë ato nga kontrolluesi në një format të strukturuar, të përdorur gjerësisht dhe të lexueshëm nga pajisjet dhe t’i transferojë pa pengesa tek një kontrollues tjetër. 
  2. Gjatë ushtrimit të së drejtës, sipas pikës 1 të këtij neni, dhe kur është teknikisht e mundur, subjekti i të dhënave ka të drejtë që të dhënat e tij personale të transferohen drejtpërdrejt nga një kontrollues tek një kontrollues tjetër. 
  3. Ushtrimi i së drejtës për transferueshmërinë e të dhënave nuk cenon të drejtën për fshirjen e tyre, sipas nenit 15 të këtij ligji. E drejta për transferueshmërinë e të dhënave nuk mund të ushtrohet kur përpunimi i të dhënave është i nevojshëm për kryerjen e një detyre me interes public ose kur kontrolluesit i është dhënë e drejta për të ushtruar funksione, detyra ose kompetenca publike në bazë të legjislacionit në fuqi. 
  4. Ushtrimi i së drejtës për transferueshmërinë e të dhënave nuk duhet të cenojë të drejtat dhe liritë themelore të personave të tjerë.
  1. Subjekti i të dhënave ka të drejtën të kundërshtojë në çdo kohë, për arsye që lidhen me situatën e tij të veçantë, përpunimin e të dhënave personale në lidhje me të, në bazë të shkronjave “d” e “dh”, të nenit 7 të këtij ligji, përfshirë profilizimin në bazë të tyre. Kontrolluesi nuk do t’i përpunojë më të dhënat personale, me përjashtim të rastit kur provon se ka arsye të forta legjitime për përpunimin, të cilat mbizotërojnë mbi interesat, të drejtat dhe liritë e subjektit të të dhënave, veçanërisht kur kanë të bëjnë me paraqitjen e një kërkese apo ushtrimin ose mbrojtjen e një të drejte, detyrimi, apo interesi të ligjshëm përpara gjykatës, ose autoriteteve publike. 
  2. Kur të dhënat personale përpunohen për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë, subjekti I të dhënave ka të drejtë të kundërshtojë, në çdo kohë dhe pa u detyruar të shpjegojë arsyet, përpunimin e të dhënave të tij personale për këtë qëllim, që përfshin profilizimin për aq sa është I lidhur me të.
  3. Pas ushtrimit të së drejtës sipas pikës 2 të këtij neni, kontrolluesi është i detyruar të ndërpresë përpunimin e të dhënave personale për këtë qëllim. 
  4. E drejta për të kundërshtuar përpunimin e të dhënave personale për qëllimet e përmendura në nenin 44 të këtij ligji, kufizohet në ato veprime përpunimi të cilat nuk janë të nevojshme për kryerjen e një detyre me interes publik. 
  5. Jo më vonë se gjatë komunikimit të parë me subjektin e të dhënave, kontrolluesi informon subjektin e të dhënave mbi të drejtën për të kundërshtuar, sipas pikave 1 dhe 2 këtij neni, në mënyrë të shprehur, të qartë dhe të veçuar nga informacionet e tjera. 
  6. Nëse të dhënat personale përpunohen për qëllime të kërkimeve shkencore ose historike, ose për qëllime statistikore, subjekti i të dhënave, për shkaqe që lidhen me gjendjen e tij të veçantë, ka të drejtë të kundërshtojë përpunimin e të dhënave personale të tij, me përjashtim të rastit kur përpunimi është i nevojshëm për kryerjen e një detyre me interes publik.
  1. Subjekti i të dhënave ka të drejtë të mos jetë subjekt i një vendimi që bazohet vetëm në përpunimin automatik të të dhënave, përfshirë profilizimin, i cili shkakton pasoja ligjore ose pasoja të ngjashme të rënda mbi të.
  2. Pika 1 nuk zbatohet nëse vendimi:

    a) është i nevojshëm për lidhjen ose zbatimin e një kontrate ndërmjet subjektit të të dhënave dhe kontrolluesit; ose
    b) autorizohet nga një ligj, të cilit i nënshtrohet kontrolluesi dhe që përcakton edhe masat e përshtatshme për të mbrojtur të drejtat e liritë dhe interesat legjitimë të subjektit të të dhënave; ose
    c) bazohet në pëlqimin e dhënë nga subjekti, të cilit i përkasin të dhënat.

  3. Përpunimi i të dhënave sensitive për vendimet automatike bëhet me pëlqimin e shprehur qartë nga subjekti i të dhënave ose duhet të bazohet në një dispozitë ligjore, në përputhje me shkronjën “e”, të pikës 2, të nenit 9 të këtij ligji, dhe me kusht që të zbatohen masa të përshtatshme mbrojtëse për të garantuar të drejtat, liritë dhe interesin e ligjshëm të subjektit të të dhënave.
  4. Në rastet e përmendura në pikat 2 e 3 të këtij neni, kontrolluesi zbaton masa të përshtatshme për të mbrojtur të drejtat, liritë themelore dhe interesat e ligjshëm të subjektit të të dhënave, si dhe të drejtën e subjektit të të dhënave për ndërhyrje manuale nga ana e kontrolluesit për të shprehur këndvështrimin e tij dhe për të kundërshtuar vendimin.
  1. Pavarësisht mjeteve të tjera ligjore në dispozicion, administrative ose gjyqësore, çdo subject i të dhënave që pretendon se përpunimi i të dhënave të tij personale kryhet në shkelje të këtij ligji, ka të drejtë të paraqesë ankim pranë Komisionerit, i cili e shqyrton atë në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Administrative dhe të këtij ligji. 
  2. Pasi vihet në dijeni nga Komisioneri për ankesën e depozituar, kontrolluesi ose përpunuesi, kur i kërkohet nga Komisioneri, nuk bën ndryshime thelbësore në përpunimin e të dhënave personale në fjalë pa miratimin e Komisionerit, deri në përfundim të shqyrtimit të ankesës.
  3. Komisioneri vë në dijeni ankuesin për ecurinë e shqyrtimit të ankesës, vendimin e marrë, si dhe të drejtën e ankimit në gjykatë, përfshirë gjykatën, ku mund të paraqitet ankimi, mjetet e ankimit, afatin dhe mënyrën e përllogaritjes së tij për paraqitjen e ankimit. 
  4. Komisioneri lehtëson dorëzimin e ankesave nëpërmjet formularëve të paraqitjes së tyre, që mund të plotësohen, gjithashtu, në mënyrë elektronike, pa përjashtuar mjetet e tjera të komunikimit. 
  5. Kryerja e detyrave të Komisionerit sipas këtij neni bëhet pa kundërshpërblim. 
  6. Kur ankesat janë qartazi të pabazuara ose të tepruara, veçanërisht për shkak të karakterit të tyre përsëritës, Komisioneri mund të refuzojë ndërmarrjen e veprimeve në lidhje me ankesën. Komisioneri mban barrën e provës lidhur me pabazueshmërinë dhe natyrën e tepruar të ankesës.
  1. Pa cenuar mjetet e tjera administrative ose të zgjidhjes jashtëgjyqësore të mosmarrëveshjeve, çdo person fizik ose juridik, që pretendon se i është cenuar një e drejtë apo një interes i ligjshëm nga një veprim apo mosveprim, akt administrativ ose nënligjor normativ i nxjerrë nga Komisioneri, ka të drejtë të paraqesë ankim në gjykatën administrative kompetente, sipas legjislacionit në fuqi për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative. 
  2. Pa cenuar mjetet e tjera administrative ose të zgjidhjes jashtëgjyqësore të mosmarrëveshjeve, çdo subjekt i të dhënave, që paraqet ankim sipas nenit 86 të këtij ligji, ose kërkesë sipas nenit 90 të këtij ligji, ka të drejtë të paraqesë kërkesëpadi në gjykatën administrative kompetente kur Komisioneri nuk e shqyrton ankimin ose kërkesën e tij brenda ose nuk e informon subjektin e të dhënave brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve për ecurinë e shqyrtimit të ankesës ose të kërkesës.
  1. Pa paragjykuar çdo mjet të disponueshëm administrativ ose jogjyqësor, duke përfshirë të drejtën për të paraqitur një ankesë te Komisioneri, çdo subjekt i të dhënave ka të drejtën për një mjet juridik efektiv kur ai ose ajo konsideron se të drejtat e tij ose të saj, sipas këtij ligji, janë cenuar si rezultat i përpunimit të të dhënave të tij personale në kundërshtim me këtë ligj. Kushdo që ka pësuar dëm financiar ose jo financiar për shkak të shkeljes së këtij ligji, ka të drejtë të përfitojë dëmshpërblim nga kontrolluesi, përpunuesi ose çdo autoritet kompetent për dëmin e pësuar, sipas Kodit Civil. 
  2. Çdo kontrollues i përfshirë në përpunim është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga përpunimi i kryer në shkelje të këtij ligj. Përpunuesi mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar nga përpunimi vetëm kur nuk ka vepruar në përputhje me detyrimet që sipas këtij ligji i ngarkohen në mënyrë të posaçme përpunuesve ose kur ka vepruar në tejkalim ose në kundërshtim me udhëzimet e ligjshme të kontrolluesit. 
  3. Kontrolluesi ose përpunuesi përjashtohet nga përgjegjësia sipas pikës 2 të këtij neni nëse provon se nuk është përgjegjës për veprimin që ka shkaktuar dëmin. 
  4. Kur më shumë se një kontrollues ose një përpunues, ose kur së bashku kontrolluesi dhe përpunuesi janë të përfshirë në të njëjtin përpunim dhe mbajnë përgjegjësi, sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni, për dëmin e shkaktuar nga përpunimi, secili prej tyre mban përgjegjësi për shumën e plotë të dëmit, me qëllim që të garantohet dëmshpërblim efektiv i subjektit të të dhënave. 
  5. Kontrolluesi ose përpunuesi, që në përputhje me pikën 4 të këtij neni e ka shpërblyer plotësisht dëmin e shkaktuar, ka të drejtë të kërkojë nga kontrolluesit ose përpunuesit e tjerë të përfshirë në atë përpunim kthimin e shumës që ka paguar për atë pjesë të shpërblimit, që korrespondon me pjesën e tyre të përgjegjësisë për dëmin, në përputhje me kushtet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni dhe legjislacionin në fuqi.

Të drejtat e subjektit të të dhënave

gjatë përpunimit të të dhënave personale nga autoritetet kompetente

  1. Kontrolluesi vë në dispozicion të subjektit të të dhënave të paktën informacionin e mëposhtëm:

    a) identitetin dhe të dhënat e kontaktit të kontrolluesit dhe, kur është e zbatueshme, të dhënat e kontaktit të nëpunësit të mbrojtjes së të dhënave;
    b) qëllimet e përpunimit për të cilat merren të dhënat personale;
    c) bazën ligjore për përpunimin; dhe ç) ekzistencën e të drejtave për akses, korrigjim, fshirje dhe kufizimin e përpunimit të të dhënave, si dhe të drejtën për të paraqitur ankesë te Komisioneri, duke përfshirë të dhënat e kontaktit të Komisionerit.

  2. Krahas informacionit të parashikuar në pikën 1, të këtij neni, me qëllim për të mundësuar ushtrimin e të drejtave të tij apo të saj, kontrolluesi i jep subjektit të të dhënave, në raste të veçanta, informacionin shtesë, si më poshtë:
    a) afatin e ruajtjes së të dhënave personale ose, nëse është e mundur, kriteret e përdorura për caktimin e këtij afati;
    b) sipas rastit, kategoritë e marrësve të të dhënave personale, duke përfshirë ata në vende të huaja apo në organizata ndërkombëtare;
    c) informacione të tjera shtesë, kur është e nevojshme, dhe, në veçanti, kur të dhënat personale janë mbledhur pa dijeninë e subjektit të të dhënave. Për dhënien e informacionit për burimin e mbledhjes së të dhënave, vëmendje e veçantë u kushtohet të drejtave themelore dhe interesave të ligjshëm të personave, që kanë dhënë këto të dhëna.
  3. Në raste të veçanta, dhënia e informacionit për subjektin e të dhënave, në përputhje me pikën 2 të këtij neni, mund të vonohet, të kufizohet ose të refuzohet në atë masë dhe për aq kohë sa është e nevojshme e proporcionale, duke marrë parasysh të drejtat themelore dhe interesat e ligjshëm të subjektit të të dhënave, me qëllim:
    a) shmangien e pengesave ose të paragjykimit për parandalimin, zbulimin, hetimin ose ndjekjen e veprave penale ose ekzekutimin e dënimeve penale, në veçanti duke penguar kërkimet, hetimet, procedurat e zhvilluara nga autoritetet kompetente ose procesin gjyqësor;
    b) mbrojtjen e sigurisë publike, të sigurisë kombëtare ose mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.
  1. Subjekti i të dhënave ka të drejtë të kërkojë dhe të marrë nga kontrolluesi konfirmimin nëse të dhënat personale, në lidhje me të janë duke u përpunuar ose jo, dhe, sipas rastit, të ketë akses tek të dhënat personale sipas nenit 14 të këtij ligji. Për dhënien e informacionit mbi burimin e mbledhjes së të dhënave, në rastet kur të dhënat personale nuk janë mbledhur nga subjekti i të dhënave, vëmendje e veçantë u kushtohet të drejtave themelore dhe interesave të ligjshëm të personave që kanë dhënë këto të dhëna.
  2. Kufizimi plotësisht ose pjesërisht i së drejtës për akses lejohet në atë masë dhe për aq kohë sa ky kufizim i plotë apo i pjesshëm përbën një masë të nevojshme dhe proporcionale në një shoqëri demokratike, duke marrë në konsideratë siç duhet të drejtat themelore dhe interesat legjitimë të personit fizik në fjalë, vetëm kur dhe në masën që zbatimi i saj do të cenonte njërin nga qëllimet e parashikuara në pikën 3, të nenit 55 të këtij ligji.
  3. Kontrolluesi njofton subjektin e të dhënave me shkrim dhe pa vonesa të panevojshme për çdo refuzim apo kufizim të aksesit dhe për arsyet mbi të cilat bazohet ky refuzim apo kufizim. Ky informacion mund të mos jepet në rastet kur dhënia e tij do të cenonte njërin prej qëllimeve të parashikuara në pikën 3, të nenit 55 të këtij ligji. Në çdo përgjigje ndaj një kërkese për akses, kontrolluesi informon subjektin e të dhënave për mundësinë e paraqitjes së ankesës te Komisioneri ose në gjykatën kompetente për rishikimin e përgjigjes.
  4. Kontrolluesi dokumenton faktet dhe arsyet ligjore të refuzimit të aksesit sipas pikës 2 të këtij neni, dhe e vë këtë informacion në dispozicion të Komisionerit.
  1. Subjekti i të dhënave ka të drejtë që kontrolluesi, sa më shpejt të jetë e mundur, të korrigjojë të dhënat e tij personale të pasakta. Bazuar në qëllimet e përpunimit, subjekti i të dhënave ka të drejtën që të plotësohen të dhënat e tij personale të paplota, qoftë edhe duke paraqitur një deklaratë plotësuese.
  2. Subjekti i të dhënave ka të drejtën që, sa më shpejt të jetë e mundur, të fshihen të dhënat e tij personale në çdo rast që merr dijeni se të dhënat personale po përpunohen në mënyrë të paligjshme, veçanërisht për shkak të shkeljes së neneve 6 ose 49–52 të këtij ligji, ose kur të dhënat personale duhet të fshihen me qëllim përmbushjen e një detyrimi ligjor të kontrolluesit. Kontrolluesi i fshin menjëherë të dhënat, sipas përcaktimeve të kësaj pike.
  3. Kontrolluesi nuk i fshin, por vetëm kufizon përpunimin e të dhënave, kur:
    a) saktësia e të dhënave personale kundërshtohet nga subjekti i të dhënave dhe saktësia ose pasaktësia e tyre nuk mund të vërtetohet; ose
    b) të dhënat personale duhet të mbahen si prova për kryerjen e një detyre, që i është caktuar kontrolluesit me ligj.
  4. Në rastin e një kufizimi sipas shkronjës “a”, të pikës 3 të këtij neni, kontrolluesi informon subjektin e të dhënave përpara se të hiqet kufizimi.
  5. Kontrolluesi informon me shkrim dhe në mënyrë të arsyetuar subjektin e të dhënave për refuzimin e korrigjimit ose të fshirjes së të dhënave personale apo kufizimin e përpunimit. Kufizimi plotësisht ose pjesërisht i të drejtave të parashikuara në këtë nen lejohet në atë masë dhe për aq kohë sa ky kufizim i plotë apo i pjesshëm përbën një masë të nevojshme e proporcionale në një shoqëri demokratike, duke marrë në konsideratë siç duhet të drejtat themelore dhe interest legjitimë të personit fizik në fjalë, vetëm kur dhe në masën që zbatimi i tyre do të cenonte njërin nga qëllimet e parashikuara në pikën 3, të nenit 55 të këtij ligji. Kontrolluesi informon subjektin e të dhënave për mundësinë e paraqitjes së ankesës te Komisioneri për rishikimin e përgjigjes së kontrolluesit.
  6. Kontrolluesi i komunikon korrigjimin e të dhënave personale të pasakta autoritetit kompetent nga i cili janë marrë të dhënat personale të pasakta.
  7. Kur të dhënat personale janë korrigjuar apo fshirë ose kur përpunimi i tyre është kufizuar sipas këtij neni, kontrolluesi njofton të gjithë marrësit e të dhënave personale, të cilët menjëherë korrigjojnë apo fshijnë të dhënat personale ose kufizojnë përpunimin e të dhënave personale për të cilat janë përgjegjës.