3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

TË DREJTAT

Çdo person (subjekt i të dhënave) ka të drejtë që me kërkesë me shkrim, të marrë nga kontrolluesi:

konfirmimin nëse “të dhënat personale” po i përpunohen ose jo, informacion për “qëllimin” e përpunimit, për “kategoritë e të dhënave” të përpunuara, për “marrësit”, si dhe kategoritë e marrësve, të cilëve u përhapen të dhënat personale;
në një formë të kuptueshme, “të dhënat personale” dhe informacionin e disponueshëm për burimin e tyre;
në rastet e vendimeve automatike, informacion për logjikën e përfshirë në vendimmarrje.
Informacioni për të dhënat komunikohet në formën në të cilën ishin në kohën kur është bërë kërkesa.
“Kontrolluesi”, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës informon “subjektin e të dhënave” ose i shpjegon atij arsyet e mosdhënies së informacionit.
E drejta për akses ushtrohet në përputhje me parimet kushtetuese të lirisë së shprehjes dhe informacionit, lirisë së shtypit dhe sekretit profesional. E drejta për akses mund të kufizohet nëse cënon interesat e sigurisë kombëtare, politikën e jashtme, interesat ekonomike dhe financiare të shtetit, parandalimin dhe ndjekjen e veprave penale.
E drejta e aksesit nuk mund të ushtrohet në rastet e parashikuara në pikën 1 të nenit 10 të ligjit nr. 9887, datë 10/03/2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.
Në rast se aksesi mohohet, duke argumentuar se cënohen interesat e sigurisë kombëtare, politikës së jashtme, interesat ekonomike dhe financiare të shtetit, parandalimi dhe ndjekja e veprave penale ose liria e shprehjes dhe informimit apo liria e shtypit, “subjekti i të dhënave” mund t’i kërkojë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të kontrollojë përjashtimin në rastin konkret. Zyra e Komisioneri informon “subjektin e të dhënave” për masat e marra.

-Çdo “subjekt i të dhënave” ka të drejtë të kërkojë “korrigjimin” ose “fshirjen” e të dhënave kur vihet në dijeni se të dhënat rreth tij nuk janë të rregullta, të vërteta, të plota ose janë përpunuar dhe mbledhur në kundërshtim me dispozitat ligjore.
-“Kontrolluesi”, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës së “subjektit të të dhënave”, duhet ta informojë atë për përpunimin e ligjshëm të të dhënave, kryerjen ose moskryerjen e “korrigjimit” apo “të fshirjes”.
-Kur “kontrolluesi” nuk bën “korrigjimin” ose “fshirjen” e të dhënave të kërkuara prej tij, “subjekti i të dhënave” ka të drejtë të ankohet pranë Zyrës së Komisionerit.

-Çdo person ka të drejtë të mos jetë subjekt i vendimeve, të cilat shkaktojnë efekte ligjore për të ose ndikojnë në mënyrë të rëndësishme tek ai, si dhe në rastin kur vendimi është bazuar vetëm në përpunimin automatik të të dhënave që synojnë të vlerësojnë disa aspekte personale që lidhen me të, veçanërisht, efektivitetin në punë, besueshmërinë ose sjelljen.
-Një person mund të jetë “subjekt” i një vendimi të marrë sipas pikës së mësipërme, kur merren masa për të mbrojtur interesat e tij të ligjshme, veçanërisht, duke përfshirë në vendim këndvështrimet e tij.

-“Subjekti i të dhënave” ka të drejtë të kundërshtojë në çdo kohë (mbështetur në ligj) përpunimin e të dhënave rreth tij, sipas shkronjave “d” dhe “dh” të nenit 6 të ligjit nr. 9887, datë 10/03/2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, përveç rasteve të parashikuara.
-“Subjekti i të dhënave” ka të drejtë t’i kërkojë “kontrolluesit” të mos fillojë ose, nëse “përpunimi” ka filluar, të ndalojë përpunimin e të dhënave personale që lidhen me të për qëllime të tregtimit të drejtpërdrejtë.

-Çdo person që pretendon se i janë shkelur të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme për të dhënat personale, ka të drejtë të ankohet ose të njoftojë Zyrën e Komisionerit dhe të kërkojë ndërhyrjen e saj për vënien në vend të së drejtës së shkelur. Pas këtij ankimi, në përputhje me Kodin e Procedurës Civile, “subjekti i të dhënave” mund të ankohet në gjykatë.
-Në rast se “subjekti i të dhënave” ka bërë ankim, “kontrolluesi” nuk ka të drejtë të ndryshojë të dhënat personale deri në dhënien e vendimit përfundimtar.

Çdo person, të cilit i është shkaktuar një dëm si rezultat i përpunimit të paligjshëm të të dhënave personale, ka të drejtë t’i kërkojë kompensim “kontrolluesit” për dëmin e shkaktuar.