TRANSFERIMI NDËRKOMBËTAR I TË DHËNAVE

Transferimi ndërkombëtar i të dhënave personale i referohet procesit të dërgimit, qasjes, konsultimit ose vënies në dispozicion të të dhënave personale drejt një shteti tjetër ose organizate ndërkombëtare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Ky proces mund të ndodhë nëpërmjet rrugëve elektronike, fizike apo çdo forme tjetër komunikimi, dhe kërkon trajtim të kujdesshëm për të garantuar të njëjtin nivel mbrojtjeje si ai i parashikuar nga legjislacioni shqiptar.

Transferimi i të dhënave personale duhet të realizohet duke zbatuar detyrimet e përcaktuara në nenet 39-42 të ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Transferimi i të dhënave personale jashtë territorit të Shqipërisë lejohet vetëm nëse plotësohen kushtet e mëposhtme:

  • Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mund të vlerësojë nëse një vend jashtë Shqipërisë ofron një nivel të përshtatshëm mbrojtjeje për të dhënat personale.
  • Ky vlerësim mund të bazohet në legjislacionin dhe masat e privatësisë të atij vendi, për të garantuar mbrojtjen e të dhënave

Nëse një vend nuk ka një nivel të mjaftueshëm mbrojtjeje, transferimi mund të ndodhë vetëm nëse:

      • Instrument ligjërisht i detyrueshëm dhe i zbatueshëm ndërmjet autoriteteve ose organeve publike.
      • Klauzola standarde kontraktuale të miratuara nga Komisioneri.
      • Rregulla të detyrueshme të grupit të shoqërive tregtare të miratuara nga Komisioneri.
      • Kod sjellje, të miratuar nga Komisioneri.
      • Mekanizëm certifikimi, i miratuar nga Komisioneri.

Transferimi mund të kryhet edhe nëse nuk përmbushen kushtet e mësipërme, por vetëm në situata të veçanta, si:

  • Kur subjekti i të dhënave jep pëlqimin e tij të qartë për transferimin, pasi është informuar mbi rreziqet.
  • Kur transferimi është i domosdoshëm për ekzekutimin e një kontrate midis individit dhe përpunuesit të të dhënave.
  • Kur është i nevojshëm për arsye ligjore, hetimore ose gjyqësore.