Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në Konferencën “E drejta e informimit në bankoprovë” të organizuar nga Qendra ResPublica, ku u prezantua raporti “Vlerësimi i efektivitetit të ligjit të ri për të drejtën e informimit, Nr. 119/2014”.
Në këtë aktivitet, z. Besnik Dervishi, mbajti një fjalë, ku informoi të pranishmit me aktivitetin e Zyrës së Komisionerit që prej hyrjes në fuqi të ligjit në fjalë dhe problematikat e hasur gjatë kësaj periudhe.
Komisioneri e vlerësoi si thelbësore ndryshimin e mentalitetit të administratës publike, ku sipas z. Dervishi, kërkohet një revolucion në këtë drejtim, në raport me periudhën para hyrjes në fuqi të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Ndërkohë, që ai e cilësoi procesin e rritjes së transparencës së Autoriteteve Publike si një parakusht për të luftuar me efikasitet korrupsionin. Paralelisht, Zyra e Komisionerit, nëpërmjet organizimit apo pjesëmarrjes në aktivitete të kësaj natyre, nxit dhe synon të rrisë nivelin e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe opinionit publik për ushtrimin e kësaj të drejte kushtetuese.