Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Mesdhetar, Shkolla Dimërore “Informim dhe Privatësi”

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi dhe Rektori i Universitetit Mesdhetar, z. Nexhmi Dumani, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve. Kjo marrëveshje ka për qëllim kryesor koordinimin e kapaciteteve për zbatimin e projekteve të përbashkëta, sidomos, në drejtim të projekteve kërkimore-shkencore.

Në ceremoninë e nënshkrimit, z. Besnik Dervishi, vlerësoi se “njohja e legjislacionit të të dy këtyre fushave – privatësia dhe e drejta e informimit, nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë është mjaft e rëndësishme. Zyra e Komisionerit po e konsolidon këtë traditë me disa Universitete në vend, me synimin për të nxitur edukimin shoqëror në respektimin e të drejtave themelore të njeriut”. Ndërsa, themeluesi i Universitetit Mesdhetar, z. Anastas Angjeli, u shpreh se “ky bashkëpunim vjen në një moment të përshatshëm dhe se angazhimi i institucioneve të pavarura, veçanërisht ai i Zyrës së Komisonerit, kontribuon në zhvillimin e demokracisë në Shqipëri”.

Në këtë marrëveshje është parashikuar ndër të tjera dhe funksionimi i Shkollës Dimërore “Informim dhe Privatësi”, në datat 25-26 janar 2018, që është, njëkohësisht, pjesë e aktiviteteve që Zyra e Komisionerit organizon në kuadër të Javës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Në Shkollën Dimërore janë përzgjedhur për të marrë pjesë 70 studentë dhe staf akademik e administrativ të Universitetit Mesdhetar, si dhe nga universitete të tjera.

Në ditën e parë të zhvillimit të saj, pjesëmarrësit njihen me legjislacionin e mbrojtjes së të dhënave personale, duke u fokusuar tek sistemet e videosurvejimit. Stafi i Zyrës së Komisionerit prezanton tema që kanë të bëjnë me median dhe mbrojtjen e të dhënave personale, apo dhe marrëdhënien e teknologjisë me privatësinë. Pjesëmarrësit njihen edhe me risitë e Rregullores Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave të Bashkimit Evropian, që hyn në fuqi në maj të 2018. Në ditën e dytë të Shkollës Dimërore, prezantohet legjislacioni për të drejtën e informimit dhe raste nga praktika e Zyrës së Komisionerit, njohuri mbi Internetin e Gjërave (IoT) në raport me privatësinë e qytetarëve, studimi “Privatësia dhe siguria e të dhënave personale gjatë përdorimit të rrjeteve sociale nga grup-mosha 15-18 vjeç” dhe aplikacioni “IDP Ankesa”.

Ceremonia e mbylljes së Shkollës Dimërore “Informim dhe Privatësi” dhe ndarja e certifikatave për pjesëmarrësit do të zhvillohet në 28 Janar – Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Marrëveshja e bashkëpunimit

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë