Sesioni i Mbyllur Virtual i Asamblesë Globale të Privatësisë

Asambleja Globale e Privatësisë (GPA) mbajti punimet e Sesionit të Mbyllur Virtual 2020, në datat 13-15 tetor 2020. Zhvillimi i aktivitetit më të rëndësishëm të fushës në këtë formë u kushtëzuar nga situata me pandeminë COVID-19.

Më shumë se 200 përfaqësues të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë nga të gjitha kontinentet diskutuan për çështje me ndikim të gjerë në respektimin e të drejtave të qytetarëve si përdorimi i teknologjive të reja – identifikimi i fytyrës apo inteligjenca artificiale; për mbrojtjen e të dhënave në veprimtarinë humanitare, si dhe për funksionimin e organizatës e përshtatjen e rolit të saj në raport me zhvillimet më të fundit në këtë drejtim. Sesioni i Mbyllur miratoi këto rezoluta, për disa prej të cilave Autoriteti shqiptar ka dhënë kontributin e tij në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv dhe të Nën-komitetit të Drejtimit Strategjik të Asamblesë:

·Rezoluta mbi Teknologjinë e Njohjes së Fytyrës (Zyra e Komisionerit është bashkë-propozuese);
·Rezoluta mbi Rolin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale në Ndihmën Ndërkombëtare për Zhvillim, Ndihma Ndërkombëtare Humanitare dhe Menaxhimi i Krizës (Zyra e Komisionerit është bashkë-propozuese);
·Rezoluta mbi Llogaridhënien në Zhvillimin dhe Përdorimin e Inteligjencës Artificiale;
·Rezoluta mbi Deklaratat e Përbashkëta për Çështjet Globale që po lindin (Zyra e Komisionerit është bashkë-propozuese);
·Rezoluta mbi Sfidat e Privatësisë dhe Mbrojtjes së të Dhënave që po Lindin në Kontekstin e Pandemisë COVID-19 (Zyra e Komisionerit është bashkë-propozuese).

Sesioni i Mbyllur diskutoi gjithashtu edhe për veprimtarinë e Task Forcës së Asamblesë për mbrojtjen e të dhënave në situatën e pandemisë COVID-19, që drejtohet nga Autoriteti i Filipineve. Në rolin e koordinatorit kjo strukturë ka shkëmbyer informacion dhe praktikat më të mira, të cilat u janë rekomanduar institucioneve publike dhe sektorit privat për garantimin e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve. Edhe Zyra e Komisionerit iu bashkua kësaj nisme, duke publikuar 3 Udhëzues për këtë qëllim në periudhën mars-maj 2020. Në ditën e 3-të të punimeve të Sesionit të Mbyllur u diskutuan dhe u miratuan dokumente/raporte të tjera të hartuara nga Grupet e Punës së Asamblesë Globale të Privatësisë.

U zhvilluan dhe zgjedhjet për anëtarësinë e Komitetit Ekzekutiv, ku u konfirmua për një mandat të dytë znj. Angelene Falk, Komisionere e Austalisë, ndërsa u zgjodh rishtazi z. Ulrich Kelber, Komisioner Federal i Gjermanisë në vend të z. Raymund Enriquez Liboro, Komisioneri i Filipineve. Asambleja Globale e Privatësisë i shtoi radhët e saj edhe me 4 anëtarë të rinj Autoritetin e Privatësisë së Bermudeve, Avokatin e Popullit të Ishujve Kajman, Komisionerin e Mbrojtjes së të Dhënave të Qendrës Financiare Ndërkombëtare të Dubait dhe Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave të Kantonit të Bernës në Zvicër; ndërsa Organizata e Konsumatorëve Evropianë u pranua me statusin e vëzhguesit.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë