3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

KONFERENCA RAJONALE “LIRIA E INFORMIMIT PUBLIK – ZHVILLIMI I PRAKTIKAVE NË RAJONIN E BALLKANIT PERËNDIMOR”

Në datën 18 shtator 2014, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, mori pjesë në Konferencën Rajonale “Liria e informimit publik – Zhvillimi i praktikave në rajonin e Ballkanit Perëndimor” e organizuar nga Zyra për Komunikim Publik e Qeverisë së Kosovës në bashkëpunim me zyrën e Misionit të OSBE-së në Kosovë. Në këtë Konferencë, morën pjesë Autoritetet e Mbrojtjes së të Drejtës për Informim dhe të Drejtës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjë Hercegovinës, Kroacisë dhe Sllovenisë.

Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi pas fjalës përshëndetëse prezantoi në Konferencë temën mbi praktikat më të mira të mbrojtjes së të dhënave personale në Shqipëri.

Në përfundim të Konferencës pjesëmarrësit e Autoriteteve të vendeve të rajonit arritën në përfundimin se:

  • nevoja e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave është e domosdoshme dhe në funksion të avancimit të realizimit të së drejtës së lirisë së informimit;
  • duke ditur që e drejta e informimit publik është e drejtë themelore e njeriut, angazhohemi për realizimin e plotë të saj;
  • është e domosdoshme nisja e zbatimit të Direktivës së Komisionit Evropian nr. 2013/37/EU për ri-përdorimin e informacioni të sektorit publik;
  • praktikat e vendeve të rajonit dëshmojnë se organi që mbikëqyrë zbatimin e ligjeve të lirisë së informimit publik duhet të jetë i pavarur dhe me fuqi ekzekutive;
  • bashkëpunimi në fushën e lirisë së informimit publik do të vazhdojë në mënyrë intensive edhe në të ardhmen;
  • pajtohemi për krijimin e një forumi të veçantë të përfaqësuesve që merren me lirinë e informimit publik në vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe avancimin e realizimit të së drejtës për qasje në informacione me karakter publik;
  • të shikohen mundësitë që konferenca rajonale mbi lirinë e informimit publik, të jetë vjetore.