Vijojnë përgatitjet për konferencën vjetore të ICIC

Në cilësinë e Presidentit të Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC), Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi drejtoi mbledhjen e katërt plenare të Komitetit Ekzekutiv, gjatë së cilës u shqyrtuan çështje kyçe që lidhen me organizimin e konferencës së ardhshme, qeverisjen e organizatës dhe iniciativat strategjike të ICIC.
Gjatë mbledhjes u raportua mbi ecurinë e përgatitjeve për konferencën vjetore, ku deri më tani raportohet për një pjesëmarrje të kënaqshme nga shumë vende anëtare të organizatës. U diskutua gjithashtu për finalizimin e paneleve të konferencës dhe pjesëmarrjen e panelistëve ndërkombëtarë.
Komiteti u informua mbi procesin zgjedhor për anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv, për të cilin janë paraqitur katër kandidatura nga Azerbajxhani, Gjermania, Zelanda e Re dhe Afrika e Jugut. Procesi i votimit elektronik do të jetë gjatë periudhës 27 gusht – 27 shtator 2026.
Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës ishte shqyrtimi i aplikimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të Kosovës për organizimin e Konferencës ICIC 2028. Komiteti vendosi ngritjen e një paneli vlerësues që do të shqyrtojë aplikimin dhe do të paraqesë rekomandimet përkatëse.
Në kuadër të përmirësimit të strukturave të ICIC, Komiteti miratoi mbylljen e Grupit të Punës për Trajnimet, për shkak të mungesës së aktivitetit, si dhe diskutoi mbi zhvillimet lidhur me Memorandumin e Mirëkuptimit me UNESCO, për të cilin është parashikuar një ceremoni nënshkrimi gjatë konferencës së ICIC.
Gjithashtu, u miratua një format i ri për raportimet rajonale, i cili do të orientohet drejt zhvillimeve dhe prioriteteve strategjike në nivel rajonal, duke kontribuar në një koordinim më efektiv.
Në cilësinë e Sekretariatit të ICIC, Zyra e Komisionerit zhvilloi edhe mbledhjen përfundimtare të Komitetit të Planifikimit, e fokusuar në finalizimin e agjendës dhe koordinimin e aspekteve organizative të konferencës.

Gjatë javës u zhvillua gjithashtu mbledhja e Grupit të Punës për Grupet Vulnerabël, ku u miratua plani i veprimit për gjysmën e dytë të vitit 2026. Ky plan parashikon zhvillimin e një sondazhi ndërkombëtar, prezantimin e gjetjeve në Konferencën ICIC 2026 dhe organizimin e një serie webinarësh me fokus rritjen e aksesit në të drejtën e informimit për grupet vulnerabël.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë