Zhvillohet takimi i 5-të i Komitetit Ekzekutiv të ICIC-së

Komiteti Ekzekutiv i ICIC zhvilloi takimin e 5-të nën drejtimin e Zyrës së Komisionerit, në cilësinë e Sekretariatit dhe Presidencës së Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve për të Drejtën e Informimit dhe Aksesin në Informacion (ICIC).

Takimi u përqendrua te përgatitjet e fundit për konferencën vjetore në Sierra Leone, si edhe në disa detaje për planifikimin e konferencës së vitit 2027. Zyra e Komisionerit, në cilësinë e Sekretariatit, paraqiti raportin e vlerësimit për përzgjedhjen e organizatorit të ICIC për edicionin e vitit 2028, ku pritet që Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës të shpallet organizatore e vitit 2028 gjatë sesionit të mbyllur më 30 shtator 2026. Autoriteti kosovar është vlerësuar pozitivisht nga Komiteti i Vlerësimit, i përbërë nga autoritetet e Gjermanisë, Australisë dhe Kanadasë.

Në cilësinë e autoritetit mikpritës të Sierra Leone, Komisioneri Shaw bëri një prezantim mbi ecurinë e përgatitjeve, duke theksuar se deri tani janë regjistruar rreth 100 delegatë. Ai prezantoi gjithashtu vendin e ri të zhvillimit të konferencës, i cili ofron kushte më të mira për zhvillimin e saj. Autoriteti kanadez theksoi nevojën për më shumë koordinim në organizimin e paneleve nga moderatorët përkatës, ndërsa Komiteti u njoh me datën, temën dhe vendin e zhvillimit të konferencës së vitit 2027. Gjithashtu, u diskutua ngritja dhe përbërja e Komitetit të Planifikimit për konferencën e vitit 2027.

Sekretariati ndau gjithashtu me Komitetin projekt-agjendën e sesionit të mbyllur dhe projekt-propozimin për përpilimin e Buletinit Special me rastin e Ditës Ndërkombëtare të së Drejtës për Informim. U diskutua gjithashtu pranimi si anëtar në ICIC i një prej autoriteteve të sapokrijuara në nivel federal në Meksikë. Të gjitha këto çështje morën konsensusin e anëtarëve të pranishëm.
Në diskutimet lidhur me agjendën e sesionit të hapur, Sekretariati, ndër të tjera, propozoi disa ndryshime në pjesën e hapjes së konferencës, në veçanti zhvendosjen e ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit midis ICIC dhe UNESCO-s në pjesën e çeljes së konferencës.

Takimi u mbyll me një fjalë të Komisionerit Dervishi, në cilësinë e Presidentit, i cili shprehu vlerësimin e tij ndaj organizatorëve dhe Komitetit të Planifikimit për punën dhe përgatitjet për këtë konferencë.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë