Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale i është bashkuar zyrtarisht Koalicionit për Transparencën Proaktive, një iniciativë ndërkombëtare që synon të avancojë transparencën proaktive dhe të mbështesë zhvillimin e standardeve dhe praktikave të mira për publikimin e informacionit me interes publik.
Ky Koalicion udhëhiqet dhe koordinohet në nivel strategjik nga Partneriteti për Qeverisje të Hapur (OGP), Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Qeveria e Holandës, ndërsa bashkon vende të angazhuara në forcimin e transparencës, aksesit në informacion dhe qeverisjes së hapur.
Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë Koalicion përbën një zhvillim të rëndësishëm në fushën e së drejtës për informim dhe një vlerësim të angazhimit dhe përpjekjeve të Zyrës së Komisionerit në promovimin e transparencës proaktive. Përmes këtij anëtarësimi krijohen mundësi të reja për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira me vendet pjesëmarrëse, si dhe për kontributin në zhvillimin e standardeve ndërkombëtare në këtë fushë.
Në kuadër të këtij anëtarësimi, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale do të përfaqësojë Shqipërinë në aktivitetet e Koalicionit dhe do të kontribuojë në diskutimet dhe proceset e përbashkëta për forcimin e transparencës proaktive dhe rritjen e aksesit të publikut në informacion. Anëtarësimi në këtë Koalicion konsolidon më tej profilin ndërkombëtar të Zyrës së Komisionerit në fushën e së drejtës për informim.
Aktualisht, Zyra e Komisionerit mban Presidencën e Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC).