3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

DETYRIMI PËR NJOFTIM

Janë dy mënyra për të realizuar “Njoftimin” pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale:

Mënyra “online”

plotësohet elektronikisht prej subjektit “kontrollues” në faqen në internet të Zyrës së Komisionerit, duke plotësuar çdo rubrikë të tij sipas pyetjeve të parashtruara (aplikoni online);

Mënyra “manuale”

nëpërmjet printimit të “Formularit të Njoftimit”, plotësimit të rubrikave përkatëse dhe dërgimin e tij pranë Zyrës së Komisionerit nëpërmjet postës, ose dorazi.

Subjektet “kontrollues potencialë” që kanë detyrimin të njoftojnë pranë Zyrës së Komisionerit

Njoftimi nga subjektet kontrollues është një detyrim ligjor i përcaktuar në nenin 21 të ligjit nr. 9887, datë 10/03/2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar. Mospërmbushja e detyrimit për të njoftuar pranë Zyrës së Komisionerit përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë. Për çdo ndryshim në qëllimin apo qëllimet e përpunimit, si dhe në përmbajtjen e njoftimit të mëparshëm, çdo subjekt kontrollues i regjistruar duhet të njoftojë sërish Zyrën e Komisionerit. Pra, nëse kontrolluesi i regjistruar më parë ka vendosur të realizojë një përpunim të ri të të dhënave personale, ose ka ndryshuar gjendjen e mëparshme të përpunimit të njoftuar, atëherë, ai duhet të njoftojë sërish Zyrën e Komisionerit. Njoftimi për një përpunim të ri si dhe ndryshimet në njoftimin e mëparshëm realizohet duke plotësuar online “Deklaratën e Ndryshimit”, duke plotësuar “Formularin e Njoftimit” manualisht vetëm në rubrikat ku ka ndryshim, ose duke ju drejtuar Zyrës së Komisionerit me anën e një shkrese ku shpjegohen ndryshimet ose përpunimi i ri. Njoftimi, është një proces me anën e të cilit kontrolluesit e të dhënave personale njoftojnë Zyrën e Komisionerit në lidhje me të dhënat që ata përpunojnë gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Ky informacion i dhënë nga kontrolluesit, i parashtruar gjatë plotësimit të rubrikave të “Formularit të Njoftimit”, do të pasqyrohen nga Zyra e Komisionerit në Regjistrin Elektronik të Kontrolluesve i hapur për publikun në faqen zyrtare www.idp.al. Për të realizuar njoftimin pranë nesh, ju mund të asistoheni duke ju referuar Udhëzuesit për plotësimin e “Formularit të Njoftimit”. Qëllimi primar i njoftimit dhe pasqyrimi i informacionit në këtë regjistër është transparenca ndaj publikut. Bërja me dije, ose mundësia që i jepet publikut për t’u informuar se kush përpunon të dhëna personale, si dhe detaje të tjera të procesit, si p.sh. arsyeja e procesit të përpunimit, është një parim bazë i mbrojtjes së të dhënave personale. Pra, njoftimi i shërben interesave të publikut, duke e ndihmuar të kuptojë se si përpunohen të dhënat personale nga subjektet kontrolluese. Gjithashtu, informacioni në faqet e këtij regjistri do të kontribuojë në ezaurimin e të drejtave të çdo individi pranë kontrolluesve publikë ose privatë, si dhe për paraqitjen e çdo ankese pranë Zyrës së Komisionerit.