Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është autoriteti përgjegjës për mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe promovimin e së drejtës për ripërdorim të dokumenteve sipas ligjit nr.33/2022 “Për të Dhënat e Hapura dhe Ripërdorimin e Informacionit të Sektorit Publik”.
Kompetencat e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (në vijim “Komisioneri”) në fushën e të dhënave të hapura dhe ripërdorimit të informacionit të sektorit publik parashikohen në kreun VI “Kompetencat e Procedurat për Shqyrtimin e Ankesave”’, në nenin 19, të ligjit nr. 33/2022.
Sipas kësaj dispozite, Organet e sektorit publik duhet të bashkëpunojnë me Komisionerin duke i dhënë të gjithë informacionin që ai kërkon për përmbushjen e detyrave të tij të përcaktuara në ligj.
Një kompetencë dhe përgjegjësi e rëndësishme e Komisionerit është procedura e shqyrtimit të ankesave, përcaktuar në nenin 20 të ligjit nr. 33/2022. Nëse palët e interesuara vlerësojnë se organi i sektorit publik ose sipërmarrja publike ka cenuar të drejtën e tyre për ripërdorim të dokumenteve sipas parashikimeve të këtij ligji, ato kanë të drejtë të ankohen në rrugë administrative pranë Komisionerit në përputhje me ligjin dhe Kodin e Procedurave Administrative.
Ankimi administrativ pranë Komisionerit bëhet brenda 30 ditësh pune nga dita kur:
a) ankuesi ka marrë njoftim për refuzimin e ripërdorimit të dokumenteve;
b) ka kaluar afati i parashikuar në këtë ligj për dhënien e dokumentit për ripërdorim.
Komisioneri brenda 30 ditësh pune nga dita kur është dorëzuar ankimi vendos:
a) mospranimin e ankesës kur:
i. ka kaluar afati i parashikuar;
ii. ankimi nuk paraqitet në formë shkresore;
iii. nuk tregohet emri dhe adresa e ankuesit.
b) pranimin e ankesës dhe urdhërimin e organit të sektorit publik ose të sipërmarrjes publike për të vënë në dispozicion dokumentin e kërkuar për ripërdorim në mënyrë të plotë ose të pjesshme;
c) rrëzimin e ankesës, pjesërisht ose tërësisht;
ç) afatin brenda të cilit organi i sektorit publik ose sipërmarrja publike duhet të zbatojë urdhrin.
Nëse Komisioneri nuk merr vendim përpara mbarimit të afatit të parashikuar në pikën 3 të nenit 20, ankuesit i lind e drejta për t’iu drejtuar gjykatës.
Të gjitha palët e prekura nga vendimi i Komisionerit kanë të drejtën të ankimojnë këtë vendim në gjykatën administrative të shkallës së parë Tiranë, sipas nenit 21.