E DREJTA PËR INFORMIM
PËR INDIVIDIN​

Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, ju garanton të drejtën të kërkoni dhe të merrni informacion publik nga autoritetet publike dhe subjektet e tjera që i nënshtrohen këtij ligji.

Ju mund të kërkoni, ndër të tjera:

  • vendime dhe akte administrative;
  • kontrata publike;
  • buxhete dhe shpenzime publike;
  • plane dhe programe zhvillimi;
  • studime, raporte dhe analiza;
  • çdo informacion tjetër publik, përveç rasteve kur ligji parashikon kufizime.
Shënim: Lista e mësipërme është orientuese. Në parim, çdo informacion i prodhuar ose i mbajtur nga një autoritet publik është i aksesueshëm, përveç rasteve kur ligji parashikon kufizime.

Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, zbatohet për autoritetet publike dhe subjektet e tjera të përcaktuara në ligj, të cilat kanë detyrimin të sigurojnë akses në informacionin publik që prodhojnë ose administrojnë.

Ligji zbatohet, ndër të tjera, për:

  • institucionet e administratës shtetërore;
  • njësitë e vetëqeverisjes vendore;
  • institucionet e pavarura;
  • universitetet dhe institucionet e tjera publike;
  • shoqëritë me kapital shtetëror ose vendor;
  • subjektet private që ushtrojnë funksione publike ose administrojnë fonde publike, në rastet e parashikuara nga ligji.

Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, ju garanton të drejtën të kërkoni çdo informacion publik të regjistruar që prodhohet ose administrohet nga një autoritet publik, pavarësisht nga data e krijimit të tij.

Informacioni mund të jetë i regjistruar në forma të ndryshme, si:

  • dokumente në letër;
  • dokumente elektronike;
  • posta elektronike (e-mail);
  • regjistra dhe baza të dhënash;
  • fotografi, materiale audio ose video;
  • çdo format tjetër të regjistruar.
E drejta për informim zbatohet vetëm për informacionin që ekziston dhe është i regjistruar. Autoriteti publik nuk ka detyrimin të krijojë informacion të ri ose të japë opinione apo shpjegime që nuk janë të dokumentuara.

Nëse nuk jeni të sigurt se si ta formuloni kërkesën tuaj, autoriteti publik ka detyrimin t’ju ofrojë ndihmë dhe këshillim.

Përpara paraqitjes së një kërkese, verifikoni nëse informacioni është publikuar tashmë në Programin e Transparencës të autoritetit publik.

Çdo person gëzon të drejtën e njohjes me informacionin publik, pa u detyruar të shpjegojë motivet.

Kërkesa për informim bëhet me shkrim dhe dërgohet dorazi, me postë ose me postë elektronike, duke paraqitur saktë identitetin e kërkuesit dhe nënshkrimin e tij.

Për lehtësinë e qytetarëve, Komisioneri ka miratuar Formularin Model të Kërkesës për Informacion, i cili mund të përdoret për paraqitjen e kërkesës.


Shkarko Formularin Model

Kërkesa për informacion duhet të përmbajë:

  • emrin dhe mbiemrin e kërkuesit;
  • adresën postare ose elektronike ku kërkohet të dërgohet informacioni;
  • përshkrimin e informacionit që kërkohet;
  • formatin në të cilin preferohet informacioni;
  • çdo të dhënë që kërkuesi gjykon se mund të ndihmojë në identifikimin e informacionit të kërkuar.
Çdo person ka të drejtë të njihet me informacionin publik nëpërmjet dokumentit origjinal ose duke marrë një kopje të tij në formën ose formatin që mundëson akses të plotë në përmbajtjen e dokumentit.

A duhet të paguani për informacionin?

Shërbimet e administratës publike janë pa pagesë.

Dhënia e informacionit mund të bëhet kundrejt një tarife vetëm për mbulimin e kostove të riprodhimit ose dërgimit të informacionit, sipas tarifave të publikuara nga autoriteti publik.

Qytetarët që përfitojnë ndihmë juridike sipas legjislacionit në fuqi e përfitojnë informacionin falas, në rastet e parashikuara nga ligji.

Kur kërkesa për informacion është e paqartë në lidhje me përmbajtjen ose natyrën e saj, autoriteti publik kontakton kërkuesin për të bërë sqarimet e nevojshme, por jo më vonë se 48 orë nga data e paraqitjes së kërkesës.
Nëse autoriteti publik konstaton se nuk disponon informacionin e kërkuar, ai, jo më vonë se 10 ditë kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës, ia përcjell atë autoritetit kompetent, duke vënë në dijeni edhe kërkuesin.
Autoriteti publik shqyrton kërkesën për informacion sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 10 ditë pune nga data e paraqitjes së saj, përveç rasteve kur ligji i posaçëm parashikon ndryshe.

Ditë pune janë ditët nga e hëna deri të premten. Ditët e pushimit javor dhe festat zyrtare nuk përfshihen në llogaritjen e këtij afati. Në rastet e parashikuara nga ligji, afati mund të zgjatet sipas kushteve të përcaktuara në Ligjin nr. 119/2014.

Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, garanton të drejtën për akses në informacionin publik. Kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm në rastet e parashikuara shprehimisht në nenin 17 të ligjit.

E drejta për informim mund të kufizohet vetëm kur kufizimi është i domosdoshëm, proporcional dhe dhënia e informacionit dëmton interesat e mbrojtura me ligj, si:

  • e drejta për një jetë private;
  • sekreti tregtar;
  • e drejta e autorit dhe patentat;
  • siguria kombëtare;
  • parandalimi, hetimi dhe ndjekja e veprave penale;
  • mbarëvajtja e hetimit administrativ në kuadër të një procedimi disiplinor;
  • mbarëvajtja e procedurave të inspektimit dhe auditimit;
  • politikat monetare dhe fiskale të shtetit;
  • mbarëvajtja e procesit gjyqësor;
  • këshillimi dhe diskutimi paraprak brenda ose midis autoriteteve publike për zhvillimin e politikave publike;
  • marrëdhëniet ndërkombëtare ose ndërqeveritare;
  • sekreti profesional i mbrojtur me ligj.
Në çdo rast, autoriteti publik duhet të vlerësojë nëse ekziston një interes publik më i lartë për dhënien e informacionit.

Nëse informacioni i kërkuar është i klasifikuar “sekret shtetëror”, autoriteti publik nuk e refuzon automatikisht kërkesën, por fillon procedurën e rishikimit të klasifikimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Nëse vetëm një pjesë e informacionit është objekt kufizimi, autoriteti publik jep pjesën tjetër të informacionit, duke treguar qartë pjesët e dokumentacionit që janë refuzuar.

Në rast refuzimi, autoriteti publik duhet ta arsyetojë vendimin me shkrim dhe të informojë kërkuesin për të drejtën e ankimi.

Nëse vlerësoni se e drejta juaj për informim është cenuar, keni të drejtë të paraqisni ankim administrativ pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ankimi administrativ paraqitet brenda 30 ditëve pune nga dita kur:

  • keni marrë njoftim për refuzimin e informacionit; ose
  • ka përfunduar afati ligjor për dhënien e informacionit, pa marrë përgjigje.

Ankimi paraqitet me shkrim. Komisioneri ka miratuar Formularin Model të Ankesës, i cili mund të përdoret për paraqitjen e ankimit.

Shkarko Formularin Model të Ankesës

Ankimi duhet të shoqërohet me:

  • kopjen e kërkesës për informacion drejtuar autoritetit publik;
  • provën e paraqitjes së kërkesës (shkresë, faturë postare ose e-mail).

Në rastet kur informacioni i kërkuar përmban të dhëna personale, ankimi shoqërohet edhe me dokumentin e identifikimit të kërkuesit.

Komisioneri merr vendim për ankesën brenda 15 ditëve pune nga data e paraqitjes së ankimit.

Nëse keni nevojë për informacion të mëtejshëm ose keni pyetje në lidhje me ushtrimin e së drejtës për informim, mund të kontaktoni Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Adresa:
Rruga “Abdi Toptani”, Nd. 5, Tiranë

Orari i pritjes:

  • E hënë – e enjte: 08:00 – 16:30
  • E premte: 08:00 – 14:00

E-mail: info@idp.al

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë