3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

KOORDINATOR PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT

Kompetencat dhe përgjegjësitë administrative të Koordinatorit për të drejtën e informimit

Në zbatim të nenit 10 të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, autoriteti publik cakton një prej nëpunësve si koordinator për të drejtën e informimit, me qëllim bashkërendimin e punës për garantimin e të  drejtës së informimit.

Koordinatori për të drejtën e informimit ushtron kompetencat e mëposhtme:

  • i mundëson çdo kërkuesi të drejtën për t’u njohur me informacionin publik, sipas këtij ligji, duke u konsultuar me dokumentin origjinal ose duke marrë një kopje të tij;
  • krijon, mban, publikon dhe përditëson Regjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve brenda afatit të parashikuar në pikën 1, të nenit 8, të këtij ligji;
  • bashkërendon punën për plotësimin e kërkesave për informacione brenda afateve dhe sipas mënyrës së parashikuar në këtë ligj;
  • regjistron kërkesat për informacion dhe cakton një numër rendor për secilën prej tyre;
  • dërgon kërkesën për informim te një autoritet tjetër publik, brenda afateve të parashikuara në këtë ligj, kur rezulton se autoriteti publik ku është depozituar kërkesa nuk e zotëron informacionin e kërkuar;
  • verifikon rastet për dhënien falas të informacionit qytetarëve, sipas parashikimit të pikës 5, të nenit 13 të këtij ligji;
  • kryen njoftimet paraprake, sipas neneve 14 dhe 15, të këtij ligji, si dhe komunikon me kërkuesin, sipas nevojës për trajtimin e kërkesës për informacion publik.

Koordinatori për të drejtën e informimit ka përgjegjësi administrative, sipas parashikimeve të këtij ligji, për kundërvajtjet administrative të parashikuara në shkronjat “a”, “ç/1”, “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g”, “h”, “i”, “j” dhe “k”, të pikës 2, të  nenit 18, të këtij ligji dhe konkretisht:

  • refuzimi i dhënies së informacionit, në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 300 000 lekë;
  • mospublikimi i akteve brenda afatit të përcaktuar në pikën 3 të nenit 7 dhe mospërditësimi i kategorive të informacionit të programit institucional të transparencës sipas pikës 4 të nenit 7 të këtij ligji dënohet me 25 000 deri në 50 000 lekë;
  • moskrijimi, mosmbajtja, mospublikimi apo mospërditësimi i Regjistrit të Kërkesave dhe Përgjigjeve, brenda afatit të parashikuar në pikën 1, të nenit 8, të këtij ligji, dënohet me 25 000 deri  në 100 000 lekë;
  • mosplotësimi i kërkesave për informacione, të regjistruara në Regjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve, brenda afatit dhe sipas mënyrës së parashikuar në nenin 9, të këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 300 000 lekë;
  • mosregjistrimi i kërkesës për informim, moscaktimi i një numri rendor për të dhe mosdhënia e të dhënave të kontaktit të koordinatorit për të drejtën e informimit, sipas parashikimeve të pikës 2, të nenit 11, të këtij ligji,dënohet me 50 000 deri në 300 000 lekë;
  • mosdërgimi i kërkesës për informim te një autoritet tjetër publik, brenda afatit të parashikuar në pikën 2, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 300 000 lekë;
  • dërgimi i kërkesës për informim tek një autoritet tjetër publik kur autoriteti që ka marrë kërkesën e ka informacionin e kërkuar, në kundërshtim me kërkesën e pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 300 000 lekë;
  • mosnjoftimi i kërkuesit se kërkesa e tij i është dërguar një autoriteti tjetër dhe kontaktet e nevojshme i janë dërguar autoritetit tjetër, në kundërshtim me parashikimet e pikës 3, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 100 000 lekë;
  • mosrespektimi i kërkesave të pikës 4, të nenit 13, të këtij ligji, për dhënien falas të informacionit, dënohet me 50 000 deri në 100 000 lekë;
  • refuzimi i paarsyetuar i preferencës së kërkuesit për mënyrën e dhënies së informacionit, në kundërshtim me parashikimet e pikës 4, të nenit 14, të këtij ligji, dënohet me 25 000 deri në 50 000 lekë;
  • mosnjoftimi i kërkuesit për vendimin për zgjatjen e afatit për plotësimin e kërkesës për informim, sipas parashikimeve të pikës 3, të nenit 15, të këtij ligji, dënohet me 25 000 deri në 300 000 lekë;
  • moskryerja e njoftimeve paraprake, sipas parashikimeve të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me 25 000 deri në 50 000 lekë.