3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

VENDIME/REKOMANDIME

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është autoriteti mbikëqyrës i pavarur zbatimin e ligjit nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit” duke respektuar e garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Kompetencat e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (në vijim “Komisioneri”) në fushën e të drejtës për informimim parashikohen në nenin 31/1 të ligjit nr. 9887, datë 10/03/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.

Sipas kësaj dispozitë, Komisioneri shqyrton kërkesat e personave, të cilët pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e tyre të parashikuara në ligjin “Për të drejtën e Informimit”; shqyrton ankesat e personave në lidhje me funksionimin e programeve të transparencës në autoritetet publike; kryen hetimet e nevojshme administrative gjatë ushtrimit të kompetencave të tij; njihet dhe ka akses në informacionin dhe dokumentet, objekt ankimi, sipas ligjit për të drejtën e informimit apo që lidhen me çështjen në shqyrtim, duke përfshirë edhe informacionet e klasifikuara “sekret shtetëror”. Në këto raste, ai është i detyruar të respektojë kërkesat për ruajtjen e “sekretit shtetëror”, sipas legjislacionit në fuqi; vendos sanksione administrative sipas parashikimeve të ligjit për të drejtën e informimit; nxit parimin e transparencës në punën e autoriteteve publike, veçanërisht duke sensibilizuar dhe informuar për çështje të së drejtës së informimit; monitoron zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit; kryen sondazhe në lidhje me çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me të drejtën e informimit; bën rekomandime për autoritetet publike, lidhur me konceptimin dhe zbatimin e programeve institucionale të transparencës; me kërkesë të gjykatës që shqyrton çështjen, parashtron mendim me shkrim për çfarëdolloj çështjeje që lidhet me të drejtën e informimit.

Gjatë kryerjes së hetimit administrativ, Komisioneri zbaton dispozitat e ligjin nr. 44/2015, datë 30.4.2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë .

Në nenin 24 të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” përcaktohet procedura e shqyrtimit të ankesave:

1. Çdo person, kur çmon se i janë shkelur të drejtat e parashikuara nga ky ligj, ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në përputhje me këtë ligj dhe Kodin e Procedurave Administrative.

2. Ankimi administrativ pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale bëhet brenda 30 ditëve pune nga dita kur:

a) ankuesi ka marrë njoftim për refuzimin e informacionit;

b) ka kaluar afati i parashikuar në këtë ligj për dhënien e informacionit.

3. Me marrjen e ankesës, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ia kalon atë strukturës që merret me të drejtën e informimit, e cila, verifikon faktet dhe bazën ligjore të ankesës. Për këtë qëllim, ai mund t’u kërkojë ankuesit dhe autoritetit publik, kundër të cilit është bërë ankesa, të paraqesin parashtrime me shkrim, si dhe të informohet nga çdo person dhe burim tjetër. Kur e sheh të nevojshme, Komisioneri zhvillon një seancë dëgjimore publike me pjesëmarrjen e palëve.

4. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale merr vendim për ankesën brenda 15 ditëve pune nga dita kur është dorëzuar ankimi.

5. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vendos:

a) mospranimin e ankesës kur:

i) ka kaluar afati i parashikuar në pikën 2 të këtij neni;

ii) ankimi nuk paraqitet në formë shkresore;

iii) nuk tregohet emri dhe adresa e ankuesit;

b) pranimin e ankesës dhe urdhërimin e autoritetit publik për të dhënë informacionin e kërkuar,    në mënyrë të plotë ose të pjesshme;

c) rrëzimin e ankesës, pjesërisht ose tërësisht;

ç) afatin, brenda të cilit autoriteti publik duhet të zbatojë urdhrin.

6. Në qoftë se Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk merr vendim përpara mbarimit të afatit të parashikuar në pikën 4, të këtij neni, ankuesit i lind e drejta për t’iu drejtuar gjykatës.

7. Procedura administrative e parashikuar në këtë nen nuk cenon kompetencat e Avokatit të Popullit, lidhur me mbikëqyrjen dhe zbatimin e të drejtave civile, sipas ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit”.