|

Mbrojtja e të dhënave personale në sektorin shëndetësor, për një sistem funksional dhe të sigurt

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka realizuar, me iniciativën e saj, hetime administrative në institucione shëndetësore publike të kujdesit parësor (qendra shëndetësore dhe ato të specialiteteve). Në kontekstin edhe të veprimtarisë për digjitalizimin e shërbimeve dhe ofrimin e tyre online, ka ardhur si domosdoshmëri monitorimi konstant i proceseve përpunuese të të dhënave personale të qytetarëve në këtë sektor. Kjo për shkak se institucionet shëndetësore përpunojnë sasi të mëdha dhe lloje të ndryshme të tyre, të cila konsiderohen me ndikim të gjerë, të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm në privatësinë e individëve.

Në përfundim të këtij procesi, Zyra e Komisionerit doli me Rekomandimin Unifikues “Mbi respektimin e detyrimeve ligjore në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale në qendrat shëndetësore dhe qendrat e specialiteteve”. Prezantimi i këtij akti u bë në një aktivitet të bashkëorganizuar me Prezencën në Shqipëri të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve qendrore dhe të varësisë të sistemit shëndetësor publik.

Në fjalën e tij, Komioneri, z. Besnik Dervishi, theksoi ndër të tjera bashkëpunimin dhe ndërveprimin me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në funksion të ruajtjes dhe sigurisë së të dhënave personale që përpunohen në këtë sektor. “Ky takim duhet të konsiderohet si një hap i rëndësishëm në investimin e përbashkët që duhet të ndërmarrim për zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale. Kjo kërkon vëmendje të veçantë nga Zyra e Komisionerit, por përcaktues është dhe ndërgjegjësimi i operatorëve të sektorit, investimi në burime njerëzore dhe në sisteme që garantojnë sigurinë e të dhënave” – tha Komisioneri.

Takimin e përshëndeti edhe Ambasadori i OSBE, z. Michel Tarran vlerësoi se “një sistem shëndetësor i qëndrueshëm dhe funksional është një nga shtyllat kryesore të shoqërisë. Gjetjet e Zyrës së Komisionerit janë thelbësore për përmirësimin e praktikave në këtë fushë. Prania e OSBE në Shqipëri mbështet plotësisht miratimin e menjëhershëm të legjislacionit të nevojshëm dhe qëndron e gatshme të mbështesë institucionet shqiptare në zbatimin e tij”.

Të dhënat shëndetësore, në kuptim të ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, klasifikohen si të dhëna sensitive, që nënkupton zbatimin e një niveli më të lartë mbrojtjeje për garantimin e sigurisë në përpunimin e tyre nga institucionet e kujdesit shëndetësor. Respektimi i masave të përshtatshme tekniko-organizative në këtë proces konsiderohen i domosdoshëm për të ruajtur besimin e qytetarëve dhe njëkohësisht, do të ndikojë në zgjerimin e njohurive dhe përditësimin e sistemeve gjatë ofrimit të shërbimeve nga këto struktura. Zyra e Komisionerit e vë theksin te nevoja për përmirësimin e parashikimit të afateve konkrete për mbajtjen e të dhënave personale, që lejon identifikimin për një kohë të caktuar të tyre, në përmbushje të qëllimin për të cilin ato janë grumbulluar, si dhe me përfundimin e afateve, marrjen e masave për të kryerjen e anonimizimit, arkivimit dhe/ose shkatërrimit të të dhënave. Nga ana tjetër, vlerësohet marrja e masave konkrete në kuadër të trajnimit të vazhdueshëm të punonjësve mjekësor dhe atyre administrativ, që kanë akses dhe përpunojnë të dhëna personale të qytetarëve, në lidhje me detyrimet e parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi të kësaj fushe. Autoritetit çmon se, duhet t’i kushtohet vëmëndje edhe informimit të individëve për prezencën e sistemeve të video-survejimit në mjediset e qendrave shëndetësore, në mënyrë që t’u jepet mundësi të njihen me të drejtat që gëzojnë dhe ushtrimin e tyre në praktikë.